Kuvendi i Shqiperise

Qindra e mijëra gra, nëna e vajza të reja festuan në një aktivitet madhështor në Pallatin e Kongreseve, 8 marsin, Ditën e Gruas.

 


Nën tingujt e muzikës “Victory” qindra e mijëra gra, nëna e vajza të reja festuan në një aktivitet madhështor në Pallatin e Kongreseve, 8 marsin, Ditën e Gruas. Mes mimozash e ngjyrash pranverore, një atmosferë e ngrohtë përfshiu dhe elektrizoi sallën e madhe të mbushur me delikatesë e hijeshi femërore.

Një sinfoni e ëmbël pianoje e violine shoqëroi ekspozimin e një seti fotografik e pamjesh filmike ku u shfaq gruaja shqiptare me kapërcimin e vështirësive gjatë diktaturës, arritjet dhe e ambicjet e saj, gruaja lidere në shtëpi, në biznes, në politikë, në art, në kulturë, në shoqëri, në mjekësi, në jetë.

Një urim i veçantë për të gjitha gratë shqiptare erdhi nga Kryeministri Sali Berisha, i cili vlerësoi  fisnikërinë sublime të grave si krijuese, si faktorë të vërtetë të ndryshimit. “Shqipëria nuk ka nevojë të quhet grua apo burrë, por fitorja është GRUA”, tha Kryeministri Berisha.

“Çdo nënë sot, përqafimin më të shtrenjtë, lulen më të bukur, buzëqeshjen më të sinqertë e ka marrë në mëngjes herët, nga djali e vajza e saj. Çdo bashkëshorte sot, merr urimin e veçantë, fjalën e mirë, çdo gjyshe gëzon sot ditën e 8 Marsit, me dhuratën e vogël e gëzimin e festës nga mbesat e nipërit e saj” tha Jozefina Topalli.

Në këtë ditë dedikuar gruas, nënave e bijave, ajo shprehu me zemër, nderimin dhe  përuljen për të gjitha ato gra që vuajtën terrorin komunist.

“Ne nderojmë gruan që i mbijetoi diktaturës, nënën që ushqeu, rriti dhe edukoi e vetme fëmijën, kur bashkëshorti i saj dergjej burgjeve e internimeve. Ato gra, që herë fustanin nuk duhet ta mbanin të gjatë dhe njëherësh as të shkurtër; ato që s’duhet të këndonin as këngën e dashurisë, as Beatles-at, as George Michael-in; vajzat e gratë që sistemi i ndalonte të kërcenin rock and roll....... ato që s’duhej as të dashuronin” u shpreh Jozefina Topalli.

Por nuk ka qenë e lehtë të kapërcesh në një kohë të shkurtër nga një kalvar vuajtjesh në ngritjen e gruas në piedestalin që i takon.

“Gruaja ka ndryshuar. Ne kemi ndryshuar. Jeta jonë ka ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar. Ajo çfarë gruaja ka bërë edhe në këto dy dekada, tregon se ajo nuk dorëzohet kurrë; ajo nuk resht kurrë së luftuari për atë që ajo beson.  Dhe mbi të gjitha ajo beson tek jeta, tek dashuria, tek e drejta, tek liria. Liria dhe përkushtimi i saj gjithë pasion  i ka dhënë asaj më shumë dinjitet, e ka bërë më të sigurtë, më konkurruese, me te suksesshme ne çdo fushë. Në vitet e fundit një numër i madh institucionesh drejtohen nga gratë, si asnjëherë më parë.

Ky është ndryshim!”

Fjala përshëndetëse e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli:

Mirëdita të gjithave,

Çdo bijë sot, mendimin e parë, urimin e parë ia ka dhënë nënës së saj.
Çdo nënë sot, përqafimin më të shtrenjtë, lulen më të bukur, buzëqeshjen më të sinqertë e ka marrë në mëngjes herët, nga djali e vajza e saj.

Çdo bashkëshorte sot, merr urimin e veçantë, fjalën e mirë, çdo gjyshe gëzon sot ditën e 8 Marsit, me dhuratën e vogël e gëzimin e festës nga mbesat e nipërit e saj.
Të nderuara zonja, të dashura nëna, Gëzuar 8 Marsin, festën më të dashur, më të ëmblën.

Unë ndihem mirë e rrethuar me kaq shumë gra këtu, ndoshta edhe pse në punë jam e rrethuar më shumë me burra.
Mirë se keni ardhur!

Kjo është një ditë e veçantë, se kremtojmë historinë e Gruas, kjo është një sallë plot hir e jetë, dhe më lejoni që edhe në emrin e secilës prej jush të uroj të gjitha gratë shqiptare kudo që janë:

Qofshi nëna të lumtura! Gëzuar festën!

Por ne jemi bashkë sot, jo vetëm për urimin, por edhe për t’u përkulur me nderim para nënave, ikonave tona, për të nderuar gratë shqiptare, paraardhëset tona.
Ne sot nderojmë gruan shqiptare në shekuj.

Nderojmë mësuesen e parë, shkrimtaren e parë, biznesmenen e parë, këngëtaren e parë, artisten e parë, mjeken e parë, sportisten e parë.

Ne nderojmë gruan që i mbijetoi diktaturës, nënën që ushqeu, rriti dhe edukoi e vetme fëmijën, kur bashkëshorti i saj dergjej burgjeve e internimeve.

Ne përulemi para mijëra grave që punuan në skllavërinë e  kooperativave, në punët e rënda të bujqësisë mesjetare primitive,  gratë që për mbijetesë punonin me tre turne,  gratë dhe vajzat që në kuzhinat dhe shtëpiat e tyre të varfra kishin të munguar çdo kusht elementar.

Ato gra, që herë fustanin nuk duhet ta mbanin të gjatë dhe njëherësh as të shkurtër; ato që s’duhet të këndonin as këngën e dashurisë, as Beatles-at, as George Michael-in; vajzat e gratë që sistemi i ndalonte të kërcenin rock and roll....... ato që s’duhej as të dashuronin.

Ne nderojmë gruan, që u ngrit në emër të lirisë, ne përulemi para nënave që edukuan brezin e studentëve te Dhjetorit.
Nënat, që lindën burra të cilët u ngritën, dhe bënë të lirë  këtë vend.
Që nga ajo kohë ne kemi bërë një rrugë të gjatë.

Gruaja ka ndryshuar. Ne kemi ndryshuar. Jeta jonë ka ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar.

Ajo çfarë gruaja ka bërë edhe në këto dy dekada, tregon se ajo nuk dorëzohet kurrë; ajo nuk resht kurrë së luftuari për atë që ajo beson.  Dhe mbi të gjitha ajo beson tek jeta, tek dashuria, tek e drejta, tek liria.

Liria dhe përkushtimi i saj gjithë pasion  i ka dhënë asaj më shumë dinjitet, e ka bërë më të sigurtë, më konkurruese, me te suksesshme ne çdo fushë. Në vitet e fundit një numër i madh institucionesh drejtohen nga gratë, si asnjëherë më parë.  Ne i kemi votuar ato në parlament, dhe kemi bërë shumë mirë. Ato drejtojnë me shumë kompetencë.
Të dhënat në mbështetje të kësaj që po them janë të qarta.

Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për institucionet publike, por edhe për fushat si  në biznes, në bujqësi, në turizëm, në banka, në arsim, në prodhim në tërësi. Ekonomistet na thonë se kur, më shumë gra marrin pjesë në jetën ekonomike të vendit  ndodh një efekt qe hapet si vala:  biznesi ka më shumë konsumatorë, familjet shpenzojnë dhe kursejnë më shumë, fermerët prodhojnë e shesin më shumë prodhime, edukimi përmirësohet, të ardhurat rriten. Pra kjo është jo vetëm gjëja më e drejtë, por kjo është edhe rruga më e mençur.

Duke patur në mendje njëlloj si burrin edhe gruan, duke vendosur qytetarin  në qendër, duke ditur këto, ne nuk i jemi ndarë reformave asnjë vit, asnjë muaj, asnjë ditë.
Por edhe javët e fundit, edhe ditët e fundit Kryeministri Berisha ka ndërmarre reforma të mëdha, të guximshme, me efekt direkt në përmirësimin e jetës tek çdo qytetar, dhe si të tillë në ndihmë të çdo gruaje.

A nuk është mbështetje për çdo grua që merr nën 300 $ heqja e tatimit mbi të ardhurat personale, a nuk është kjo një rrogë më shumë për çdo grua e burrë?
Po heqja e TVSH-së  dhe të çdo tarife doganore mbi çdo gjë që përdoret për prodhimin dhe nxitjen  në industri, në bujqësi, në agrobiznes, në artizanat?

A  nuk ndihmon me qindra e mijëra gra që punojnë në këtë sektor? A nuk rrit kjo më shumë prodhimin, të ardhurat e mirëqenien e familjeve shqiptare? A nuk sjell kjo ndryshim? A nuk është për një shoqëri, shëndeti i parë, themelor?

Ne në shtëpi, kemi të afërt të moshuar, që kërkojnë të mjekohen. Ndryshe nga 2005, kur shteti paguante 3,2 miliard lekë, sot në buxhet është parashikuar 8,4 miliard lekë, ose 3 herë më shumë.  Ky është ndryshim. Por ne kemi përsëri punë përpara. Në vitet e ardhshme ne do ta rrisim edhe më shumë. Nëse buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore pak vite më parë ishte 50 milion $, ose 5 miliardë lekë, sot është 30,8 miliardë lekë, ose 6 herë më i madh.  Ky është ndryshim, ndryshim i madh, por reforma vazhdon përpara.

Kush më shumë se gratë kujdesen për të sëmurë, dhe e bëjnë me dhembshuri e përkushtim.

Por edhe qeveria ka lëvizur fort për t’ua lehtësuar dhimbjen. Kështu, nëse për tetraplegjikët dhe shoqëruesit e tyre, pagesa mujore, përfshirë sigurimet shoqërore, paketën higjeno-sanitare, karburantin, energjinë, telefoninë, qeveria e ka rritur nga 191 mije lekë në 450 mije lekë, ose 2,4 herë. Kjo është ndihmë për gruan.  Ky është ndryshim. Por reforma të tjera do bëjmë në mandatin e ardhshëm.

Jeta e fëmijës, jeta e gruas, jeta e njeriut është gjëja më e çmuar. Ajo është kuptimi i çdo gjëje. Është fakt se Shqipëria ka vdekshmëri foshnjore njëshifrore, njëlloj si vendet e zhvilluara;  vdekshmëri amtare njëshifrore; vdekshmëri të përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish komuniste; Shqipëria ka rritje të jetëgjatësisë, të krahasueshme me disa nga vendet më të zhvilluara.

E për këtë të gjithë ndihemi mirë. Gjatë viteve, si Kryetare Kuvendi, jam ndjerë e lumtur të votoj bashkë me kolegët e mij, vendimin e Kryeministrit Berisha për të rritur rrogat mesatare, nga 240 dollarë në 570 dollarë.  Ky është ndryshim, ndryshim i mirë, i rëndësishëm për çdo grua, për çdo burrë. Bashkë ne kemi bërë shumë punë, por ne e dimë se shumë pune të tjera kemi përpara.  Ne e dimë se ka gra, ka familje me halle e probleme. Ne duam ti përmirësojmë jetën çdokujt. Ne do vazhdojmë të kërkojmë çdo mundësi, çdo burim, do vazhdojmë të ndërmarrim çdo reforme, çdo vendim për të rritur mirëqenien e çdo gruaje, për të çuar më tej ndryshimin.

Natyrisht, më shumë gra ne vendimmarrje është çështje e së drejtës, por mendoj se ka shumë mënyra për të shërbyer.  Nuk besoj se duhet të zgjidhesh në një detyrë/pozicion që të shërbesh dhe të kontribuosh për të ndryshuar gjërat.  Unë kam takuar, kam folur, me gra të panumërta. Kam dëgjuar gra që drejtojnë me sukses biznesin, kam parë suksesin e tyre e kam admiruar kurajon e tyre.

Kam pritur në parlament gra që në formë vullnetare ndihmojnë njerëzit në nevojë, kam nderuar gra artiste e shkrimtare që shkëlqejnë me talentin e tyre, mjeke të zonjat që i përkushtohen të sëmurit,  që të prekin me shpirtin e tyre, gra shtëpiake që me diellin e buzëqeshjes së tyre  sakrifikojnë çdo gjë për familjen e tyre, mësuese, inxhiniere,ë infermiere, fermere, kam dëgjuar histori përpjekjesh, guximi, histori suksesi.

Gruaja beson se duhet të jesh i sinqertë me vetveten. Duhet të besosh në atë çka bën, në atë që je, dhe në kontributin që mund të japësh.  Dhe kontributi i saj mund të jetë ndryshe nga ata të fqinjit të saj: ata mund të ndryshojnë me kohën - siç ndryshon dhe ti. Por secila prej jush që është sot këtu dhe shumica e grave  jashtë kësaj salle e dinë se gruaja jep një kontribut të vërtetë për vendin e saj siç bën për familjen e saj.

Dhe ne duam të ndihmojmë çdo grua që të dëgjohet zëri i saj, të mbështesim secilën vajzë në drejtimin që do marrë përgjatë rrugëtimit të saj.  Sigurisht unë do bëj çdo gjë, qoftë në këtë pozicion, dhe në  vitet që do vijnë, që t’ju mbështes ju, të mbështes gratë si ju që përpiqen ta ndryshojnë, ta përmirësojnë botën për të gjithë ne. Unë besoj thellësisht se:

Historia e gruas është historia e vendit. Historia e nënës është historia e kombit. Unë e di se në zgjedhjet e ardhshme shumica e grave, bashkë me fëmijët e tyre do votojnë për Kryeministrin Sali Berisha. Jam e sigurtë se nënat nuk ia falin atij që e quan veten rilindas,  “rilindasit Edvin”, që duke bllokuar votimin e tre ligjeve la vendin pa status, i hoqi Shqipërisë miliona euro, i hoqi fëmijëve studentë bursa të panumërta.

Nënat janë të parat që prekin ndryshimin. Nëna nuk lejon të kthehemi mbrapa.  GRUAJA shikon vetëm përpara. Nënat e jo vetëm ato, do votojnë për një Shqipëri  të zhvilluar, për një Shqipëri europiane.  Ato e dinë më mire se kushdo se Kryeministri ynë e  mban fjalën, se ai nuk ndalet, se ai e do kombin, se ai ia del për të çuar përpara vendin tonë të dashur, atdheun tonë të shtrenjtë, Shqipërinë tonë të bukur.     

Ne jemi ndryshimi! PËRPARA!"

Lidhje te Shpejta

Qendroni ne kontakt me ne