Fjala e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Konferencën Europiane të Presidentëve të Parlamenteve, organizuar në selinë e Këshillit të Europës në Strasburg.
I nderuar Kryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Mignon,
Të nderuar Kryetare dhe Kryetarë pjesëmarrës,
Është një kënaqësi e veçantë për mua të adresoj sot ne këtë tribune te demokracisë evropiane ku po diskutohen çështje të një rëndësie evropiane e globale. Ne përfaqësojmë sot këtu 800 milion Europjanë. Ata na kanë besuar të ardhmen e vendeve të tyre. Dhe kjo konferencë e kryetareve të parlamenteve është jo vetëm një mundësi e shkëlqyer për liderët politik, por edhe më i rëndësishmi për të identifikuar, e për t’u përballur me sfidat që ne, Evropa, bota po jeton.
Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve ju, Presidentin Mignon, Sekretarin e Përgjithshëm Jagland për mundësinë që më dhatë për të adresuar këtë fjalë në këtë Forum prestigjioz ne emër të Shqipërisë që për herë te parë mban presidencën e këshillit të ministrave te CoE-se. Më lejoni t’ju shpreh të gjithëve ju, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve. Ne jemi krenarë, mirënjohës dhe borxhlinj ndaj të gjithëve, për mbështetjen . Kjo konferencë e Kryetareve të Parlamenteve organizohet në një çast shumë të veçantë për rajonin nga vij, për Evropën dhe Botën .
Më 28 nëntor 2012, shqiptarët festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombi tonë të vjetër, ajo është diamanti mbi kurorë. Sot, Shqipëria është vend i lirë, anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kush do ta kishte menduar disa vite më parë që Shqipëria do të merrte Kryesinë e një organizate kaq të madhe? Bëmë të mundur atë që dukej e pamundur! Ne shqiptarët, jemi një komb i vogël, por mbartim një mesazh të shumë madh, atë të tolerancës së shkëlqyer fetare dhe respektit shembullor ndërfetar e bashkëpunimit ndëretnik, traditë kjo shekullore e kombit tonë. Gjatë luftës së dytë botërore shqiptarët nuk morën pjesë në Holokaust, përkundrazi, numri i hebrenjve në fund të luftës në Shqipëri ishte disa herë më i lartë se ne fillimet e saj.
Kjo është arsyeja që gjatë Presidencës shqiptare te komitetit te ministrave te këshillit te europes ne kemi prioritet te kësaj presidence temën ‘UNITED IN DIVERSITY’, një togfjalësh sinjifikativ.
Sot fjala më e shqiptuar është “Kriza…” Kriza e vërtetë është ajo e paaftësisë. Ai që kapërcen krizën tejkalon vetveten. Kush i jep krizës dështimet dhe vështirësitë e tij, dhunon talentin e tij dhe vlerëson me shumë problemet se sa zgjidhjen e tyre. Të flasësh vetëm për krizën do të thotë t’i japësh asaj më shumë vlera. Të heshtësh për krizën është të lartësosh konformizmim. Në vend të kësaj, ne duhet të punojmë më shumë së bashku dhe të sfidojmë veten dhe realitetin që na rrethon.
Parlamenti është tempulli më i shenjtë i vendeve tona. Europa ka ndryshuar. Në kohën që jetojmë, në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur e më të ndërvarur, Europa dhe mbarë bota përballet me çështje të reja si globalizimi, kriza financiare, bashkëjetesa fetare, ndryshimet demografike, burimet energjetike. Këto janë sfidat e Europës në mijëvjeçarin e ri. Parlamentet kombëtare janë në sprovë në kohën e krizës. Demokracitë janë gjithmonë në sprovë. Kriza është më e madhe edhe se ne të bashkuar. Nga eksperienca e vendit tim mund t’ju them sërish se “është e mundur ajo që duket e pamundur”. Shqipëria ka një demokraci të re. Është me të vërtetë një periudhë e shkurter, por intensive. Demokracia në vendin tim është si një vajzë e re, e mbushur me shpresa dhe dëshirën për t’i bërë realitet.
Dy dekada më parë shqiptarët lejoheshin të lëviznin mbasi merrnin autorizimin përkatës nga strukturat e regjimit, vetëm brenda vendit të tyre të vogël. Sot, me një demokraci që zhvillohet me hapa të mëdha shqiptarët lëviznin të lirë në hapësirën Shengen. Njëzet vite më parë Shqipëria do të njihej si vendi më i izoluar i botës. Sot Shqipëria drejton Komitetin e Ministrave e Këshillit të Europës.“Është e mundur ajo që duket e pamundur!” Është koha për të ndërmarrë vendime të guximshme dhe për të zbatuar ide të reja. Mësuam nga eksperienca bëjmë “të pamundurën ta bëjmë të mundur” dhe ia dolëm mbanë. Koha është gjykatësi më i mirë.Ndryshe nga vendet që kufizohen me Shqipërinë, por jo vetëm, vendi ynë nuk u prek nga recesioni. Zhvillimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe integrimi në Bashkimin Evropian është qëllimi ynë kombëtar. Këto janë sfidat e ardhshme të Shqipërisë.
Zgjerimi i mëtejshëm dhe integrimi i vendeve tona përbëjnë gjithashtu një nga sfidat e komunitettit Evropian. Unë, edhe me ngjarjet e fundit në Benghazi, të cilat i dënojmë me forcë, nuk dua ta shoh si iluzive shpresën e ndërtimit të demokracisë, edhe këtu e kudo. Shqipëria,vendi im, që ka presidencën e ministrave te CoE-se si një vend multifetar, mund t’u ofrojë këtyre vendeve mike shembullin më të shkëlqyer se besimet fetare, te gjitha, janë plotësisht te pajtueshëm, si me sistemin demokratik të qeverisjes, ashtu edhe me të drejtat dhe liritë universale të individit. Ne i inkurajojmë këto vende t’i afrohen parimeve të Këshillit të Evropës. Gjithashtu, uroj që në të ardhmen e afërt, disa vende evropiane, anëtare të BE dhe NATO, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, të marrin vendimin e tyre të duhur.
Ju faleminderit!