Kryetarja e Kuvendit me gratë dhe vajzat në Petrelë për fushatën sensibilizuese “Bëni mamografinë.bëni PAP-test. Mos hezitoni. Mos kini frikë ”Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ishte sot në komunën e Petrelës në Tiranë, në fushatën sensibilizuese “Së bashku kundër kancerit”. Në një mjedis autokton shumë vajza e gra të moshave të ndryshme, patën rastin të takohen me Kryetaren e Kuvendit, e cila po shkon në çdo qytet, në çdo komunë e fshat për t’i inkurajuar dhe bindur grate, për rëndësinë jetësore të analizave Mamografi e PAP-test.
“Shëndeti i nënës, shëndeti i gruas, ashtu sikurse i fëmijës, është jeta, është familja, e ardhmja; është besimi, është siguria”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Duke inkurajuar gratë dhe vajzat të rrëzojnë murin e ndrojes dhe të frikës, për të bërë Paptestin e Mamografinë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli konstatoime kënaqësi rritjen e diagnostifikimeve vitet e fundit.
Kryetarja e Kuvendit tha se do të punojë pa u ndalur në këtë nisëm në mbrojtje të shëndetit të grave, që të bëjë të mundur që, çdo grua, çdo vajzë dhe nënë shqiptare të kryejë falas analizat e Paptestit dhe Mamografisë.
Gjatë takimit, gratë dhe vajzat e komunës Petrelë morën shpjegimet dhe udhëzimet e nevojshme të mjekëve, të cilët po po mbështesin pa kufi, hap pas hapi, Kryetaren e Kuvendit në këtë fushatë në mbrojtje të shëndetit të grave.
Fjala e Kryetares së Kuvendit
Të dashura zonja, nëna, zonjusha, motra,të gjitha ju që keni pranuar ftesën e Kuvendit të Shqipërisë të stafit tim, timen personale, por dhe të spitalit Hygea për këtë takim, që s’është as takim politik as takim me temë të një fushe të veçantë. Është krejt e kundërta.
Unë prej vitesh kam ndërmarrë një fushatë sensibilizuese. Në Parlament ne bëjmë ligje, në Parlament ne bëjmë reforma, në Parlament ne marrim vendime kryesore, mbi buxhetin e shtetit, mbi atë që do të jenë paratë te arsimi, paratë tek ekonomia, paratë tek ndërtimi, tek ujësjellësi, për politikat kryesore në fushën sociale në fushën e zhvillimit të energjisë të rinovueshme e fusha të tjera, dhe kjo ka bërë që, vendi ynë të jetë ndryshe nga ai që ka qenë vite më përpara.
Po ajo që është më e madhja, më e rëndësishme, më fondamentale është shëndeti i njeriut. Dhe shëndeti i nënës, shëndeti i gruas ashtu sikurse i fëmijës, është jeta, është familja, është e ardhmja; është besimi, është siguria. Ndoshta jo për fajin tonë, por për kulturëndonjëherë të munguar nga ndrojtja që, ne gratë kemi në raport me spitalin, me mjekun, për shkak të frikës që, ne kemi për të shkuar për të bërë një analizë, i themi vetes, ja do të shkoj, por do ta shtyj pak, ja do të shkoj, por muajin e ardhshëm se më doli një punë; këto janë të gjitha justifikime, që ne i bëjmë vetes.
Sigurisht një arsye tjetër pse ne i bëjmë justifikime vetes, është edhe frika që nganjëherë kemi se, po shkova për analiza po del diçka që s’është mirë dhe pastaj do të fillojë një kalvar përpjekjesh, takimesh me mjekun, me infermierin, me personelin e analizave etj. Kur për herë të parë kam filluar fushatën sensibilizuese për t’i ftuar gratë për të ardhur, për të shkuar dhe për të bërë Pap-testin, për të bërë Mamografinë, njerëzit mund të thonin, Kryetarja e Kuvendit çfarë lidhje ka me këtë punë ? Në fillim nuk e dinin fare se çdo të thotë Pap-testi. Sigurisht kishin dëgjuar për Mamografinë, por i dukej si diçka e largët, e cila s’ka të bëjë as me vajzat e reja, as me nuset e reja; ndoshta ka të bëjë me gra të kaluara shumë në moshë; në këtë mënyrë ato nuk bënin shumë kujdes.
Është dashur muaj dhe vite, që së bashku me koleget e mia, me stafin tim; kemi shkuar në shumë komuna, kemi shkuar në shumë qytete; kemi folur me gratë. Unë e kam ndjerë, që jo gjithmonë ato e kanë kuptuar, ose e kanë mirëkuptuar dhe pastaj kanë hezituar për të shkuar tek mjeku. Ndryshimi i madh ka qenë në vitet e fundit. Dhe gjëja më e bukur, që mua më ka dhënë një sadisfaksion të veçantë ka qenë kur kam shkuar në spitalet kryesore rajonale dhe mjekët më tregonin :" na ndodh një fenomen i veçantë. Kur ju dhe koleget tuaja dilni në televizor dhe bëni një fushatë për sensibilizimin për të bërë Mamografinë apo PAP-testin, dy javët që vijnë pas ka një numër të shtuar të grave; mbas dy javësh është e njëjta situatë, gratë nuk shkojnë , e harrojnë, e nënvlerësojnë ose gjejnë një justifikim.
Unë së bashku me koleget e tjera kemi filluar këtë fushatë sensibilizimi . Sigurisht ky është një fillim i mbarë, por unë mendoj se është vetëm fillimi. Në mendjen time, në dëshirën dhe në vullnetin tim është që, ne, çdo gruaje t'i sigurohet një Mamografi dhe PAP-test falas.
Unë do bëj përpjekjet e mia për këtë gjë. Por për të realizuar këtë, së pari në duhet të kemi një ndërgjegjësim. Ju mund të bëni një punë të madhe, duke folur me shoqet tuaja , familjaret tuaj.
Kur flas për shëndetin e nënës mbi të gjitha mendoj për atë fëmijën që qëndron mbas nënës së tij, për vajzën që qëndron afër saj.
Ajo do një nënë të shëndetshme.
Ajo do një nënë që të mos ketë problem shëndetësorë.
Ajo do një nënë që të jetë e gëzueshme, që t’ia bëjë ditën e gëzueshme .
Nëna është ajo që do ta mbështes, do ta ndihmojë edhe në ditët kur ajo ka nevojë për të, do ta mësojë, do ti japi një këshillë .
Ndaj edhe shëndeti i gruas është themelor tek familja, tek fëmija dhe tek shoqëria.
Unë ju them të gjithave ju që jeni të pranishme.
Shkoni dhe bëni PAP-testin! Shkoni dhe bëni Mamografinë!
Mos kini frikë për të shkuar dhe për të bërë PAP-testin! Mos kini ndrojtje për të bërë PAP-testin!
Betejën me sëmundjen e fitojmë kur e parandalojmë atë. Mamografia është parandalimi më i sigurt.
PAP-testi të jep mundësi që sëmundja të shërohet 100%; është tërësisht e kurueshme. Një sëmundje që ne e mendonim së është një sëmundje fatale, në fakt është e kundërta. Nëqoftëse ne e parandalojmë, kjo sëmundje jo vetëm që nuk është fatale, por është e shërueshme dhe të lejon që të bësh një jetë normale sikur të mos kesh pasur asgjë.
Njerëzve që i keni në shpirt, mikeve tuaja i thoni të shkojnë të bëjnë PAP-testin.
Mos kini ndrojtje! Mos kini frikë !
Jua them me zemër, jo si kryetare Parlamenti, jua them si grua, si nënë që kam dy fëmijë, jua them si njëra prej jush.
Më lejoni dhe një herë të falënderoj mjekët, të falënderoj spitalin Hygea.
Unë falënderoj kryetarin e Komunës për gatishmërinë duke na mbështetur ne grave. Mua më bëhet shumë qejfi që ju keni patur interesin, pavarësisht që keni punët dhe angazhimet tuaja, ju e keni vlerësuar sesa e rëndësishme është për të parandaluar sëmundje, të cilat na frikësojnë, para së cilave jemi të papërgatitura, jemi të trishtuara.
Dua të falënderoj drejtoreshën e Qendrës shëndetësore, por dhe secilën prej grave zonjave, vajzave, nënave, gjysheve, të gjithave dhe në mënyrë të veçantë të shpreh mirënjohjen dhe admirimin për ato që agjërojnë dhe kanë gjetur momentin për të ardhur këtu. Qofshi nëna të lumtura, nëna të gëzuara, me zemër të gëzuar, për fëmijët tuaj, për çfarë t’ju dojë zemra.
Faleminderit!