Kuvendi i Shqiperise

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takim me gratë në Drenovë. Topalli: “Fuqizimi ekonomik i grave, fuqizim dhe zhvillim për vendin. Mos hezitoni! Guxoni dhe do të arrini! Guxoni dhe do t’ia dilni!”

 

kryetarja topalli drenove 13Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ishte sot në Drenovë në një takim me gra dhe vajza për promovimin e të drejtave dhe rolit të tyre vendimmarrje, si një faktor zhvillimi për shoqërinë dhe vendin.

Në fjalën e saj përpara grave dhe vajzave të pranishme në këtë takim, Kryetarja e Kuvendit shprehu besimin e saj të palëkundur se një grua e fuqishme dhe me të drejta të barabarta në shoqëri është një faktor vendimtar për zhvillimin e vendit.
“Unë besoj   fort se sa më të shkolluara, sa më të fuqishme ekonomikisht të jenë gratë aq më e zhvilluar është shoqëria. Sa më shumë ecin në karrierë gratë dhe vajzat aq më mirë i bëhet vendit. Ne jemi të barabarta, ne duhet të jemi të barabarta!,” tha Kryetarja e Kuvendit.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se vajzat, gratë dhe e gjithë shoqëria duhet  t’u jenë mirënjohëse paraardhëseve për sakrificën, edukatën, kurajën, por mbi të gjitha fisnikërinë e tyre, që e kanë përçuar brez pas brezi.
 “Ju  jeni sot këtu dhe unë jam Kryetare  e Parlamentit  për një arsye shumë të thjeshtë: nënat, gjyshet, stërgjyshet tona na kanë rritur, na kanë edukuar në mënyrë të tillë  që ne të mësojmë, që ne të edukohemi, që ne të punojmë fort, që ne të luftojmë dhe të mos dorëzohemi kurrë!” tha zonja Jozefina Topalli.

Kryetarja e Kuvendit tha se janë nënat ato që luajnë rolin vendimtar në edukimin e fëmijëve dhe mëkimin e tyre me dashurinë për vendin, punën dhe dijen.
“Ne jemi gjysma e shoqërisë dhe i shërbejmë gjithkujt pa kushtëzim, pa ia përmendur askujt. Kush rri zgjuar 24 orë në 24?! Kujt i dridhet zemra kur fëmija është sëmurë?! Vetëm nënës.” 

kryetarja topalli drenove 13Zonja Jozefina Topalli ndau me gratë e pranishme në takim përvojën e saj personale si grua dhe nënë dhe i ftoi ato që të përfshihen dhe të luftojnë fort për të drejtat e tyre në shoqëri. “Unë e kam marrë me vete vajzën time, sikurse e kam marrë me vete gjithmonë kur ishte e vogël në takimet politike. Dhe tani që ajo ka mbaruar studimet dua që ajo të përfshihet,  të kuptojë çështjet e të drejtave të grave. Dua që edhe çdo bijë e juaja të përfshihet, të angazhohet, të përballojë, të luftojë me një besim të madh, sepse gruaja nuk dorëzohet.”

Duke u ndalur në rolin shumë të rëndësishëm që gruaja mund të luajë në vendimmarrje,  Kryetarja e Kuvendit tha se do të bëjë çdo gjë që në mandatin e ardhshëm 30% e kabinetit qeveritar të jenë gra.
“Unë kërkoj dhe do bëj çdo gjë që kam në dorë që në mandatin e ardhshëm në qeveri të kemi më shumë gra, tha zonja Jozefina Topalli. Në mandatin e ardhshëm unë do të dëshiroja shumë që mbi 30% në kabinetin  qeveritar të Kryeministrit Berisha të jenë gra, sepse ato janë të vërteta, sepse është çështje e të drejtave të njeriut. Të jenë gra, sepse janë më pak të korruptuara; të jenë gra, sepse e meritojnë, e duan sinqerisht vendin e tyre, janë të përkushtuara  dhe punojnë shumë e me pasion, ashtu si nënat tona.!”
Nga takimi në Drenovë zonja Jozefina Topalli duke inkurajuar të gjitha gratë dhe vajzat që të guxojnë për të ardhmen e tyre, tha se: " Unë ju falënderoj që më keni pritur në shtëpinë tuaj. Ju zonja të nderuara faleminderit për kohën, faleminderit për dashurinë, miqësinë, mikpritjen që më keni bërë mua dhe kolegeve të mia. Unë kam dëgjuar se në vendin tuaj, në fshatin tuaj, në komunën tuaj gratë janë në krye të bizneseve. Ato punojnë dhe kanë krijuar bizneset e tyre, ato kanë krijuar vende pune dhe unë ju përgëzoj për një gjë të tillë. Ndaj dhe gruaja në biznes është një sinjal i rëndësishëm i fuqizimit të ekonomisë dhe shoqërisë. 
 
kryetarja topalli drenove 13Unë uroj dhe falënderoj çdo grua shtëpiake për dantellat e mrekullueshme që ato punojnë. Ato me duar të arta, amvisat më të mira. Ajo është vlerë, ajo është punë dhe ajo është për t’u vlerësuar.
Unë e di që këtu ka edhe biznese të tjera të përpunimit të mishit të cilat drejtohen nga gra. Do të doja që t’ju nxisja më shumë. Mos hezitoni! Guxoni dhe do të arrini! Guxoni dhe do t’ia dilni të jeni në krye të biznesit, në krye të këshillit të komunës, pse jo në krye të komunës nesër, në parlament edhe më shumë në qeveri, në biznese, në shkollë, universitete.

Kryetarja e Kuvendit vizitoi panairin e grave të vetëpunësuara në të cilin firma të ndryshme të drejtuara nga gra, por edhe gra shtëpiake prezantuan produkte të ndryshme ushqimore, gatime tradicionale të zonës, si dhe punë artizanale të punuara me shumë finesë. Gratë pjesëmarrëse në panair i thanë zonjës Jozefina Topalli se ndihen mirë dhe të plotësuara që punojnë dhe që produktet e tyre eksportohen jo vetëm në tregjet kombëtare, por edhe ato rajonale.

Lidhje te Shpejta

Qendroni ne kontakt me ne