Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti sot punimet e takimit të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili mbahet për herë të parë në Tiranë, me rastin e marrjes së Presidencës së KiE nga Shqipëria. Të pranishëm në këtë takim ishin Zv.Presidenti i APKiE, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe delegacione nga 47 vendet anëtare të KiE.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi se për Shqipërinë marrja e Presidencës së KiE është një oportunitet për të çuar përpara vlerat dhe principet për të cilat Këshilli i Europës punon dhe promovon në të gjithë botën, vlera si liria, shpirti i demokracisë, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut.
Në veçanti, Kryetarja Jozefina Topalli tha se presidenca shqiptare e KiE do të përmbushë këtë mision fisnik duke përcjellë edhe për vendet e tjera modelin e saj të tolerancës dhe bashkëjetesës në harmoni.
Më poshtë fjala përshëndetëse e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli:
Mirëdita të gjithëve,
I nderuar z.Zëvendëspresident,
I nderuar z.Savicki,
Të nderuar kolegë,
Të dashur miq,
Unë shfrytëzoj rastin për t’ju uruar përzemërsisht mirëseardhjen të gjithë kolegëve të mi, anëtarë të Asamblesë të Këshillit të Europës këtu në Shqipëri. Është kënaqësi e madhe z. Zëvendëspresident që në detyrën tuaj edhe si Zëvendëspresident dhe si kryetar i delegacionit të Britanisë së Madhe, në Asamblenë Parlamentare të KiE-së pikërisht vend nga e cila Shqipëria merr Presidencën, ne kemi mundësinë që së bashku sot të hapim mbledhjen e “Standing Committee” këtu në Tiranë.
Në fakt, tre ditë përpara në Strasburg Ministri i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë Shqiptare, z.Edmond Haxhinasto mori kryesimin, Presidencën e KiE-së nga Ministri i Jashtëm Hague. Sigurisht që ishte një ditë e veçantë, një ditë historike. Është hera e parë që Shqipëria merr Presidencën të KE-se dhe për ne ky është një moment unik, i veçantë krenarie.
Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një detyrë e vështirë. E kuptojmë si një përgjegjësi dhe një peshë të cilën duam ta ndajmë së bashku me Ju, por e shohim dhe si një oportunitet për të çuar përpara vlerat dhe principet për të cilat KE punon dhe promovon në të gjithë botën. Vlera si: liria, shpirti i demokracisë, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut.
Ashtu siç e diskutuam edhe mbrëmë katër shtyllat themelore: liria , demokracia, të drejtat e njeriut, shteti ligjor kanë qenë katër të munguarat e mëdha në vendin tim vetëm 20 vite përpara.
Liria nuk ekzistonte, të drejtat e njeriut nuk bëhej fjalë, as shteti ligjor sepse ishte diktaturë, më e egra në Europë. Dhe vetëm pas 20 vitesh, kjo Shqipëri merr presidencën e Këshillit të Europës. Sigurisht që, kjo është një ngjarje historike, e cila koicidon edhe me një përvjetor të rëndësishëm historik për ne shqiptarët. Ndaj dhe jemi krenar, ndaj dhe ne shohim edhe më shumë përgjegjësi. Por edhe ndihemi mirë që tema kryesore ose axhenda kryesore që presidenca shqiptare në bashkëpunim me Këshillin e Evropës ka vendosur, sigurisht me shumë prioritete por me temën kryesore, “Të jetuarit së bashku në diversitet”, i shkon aq mirë vendit tim.
Shqipëria, të nderuar kolegë, të dashur miq, është një model. Një model sepse në vendin tim pavarësisht nga besimet e ndryshme fetare, këtu ekziston një harmoni e jashtëzakonshme, një tolerancë shumë e veçantë për të cilën ne shqiptarët jemi shumë krenar. Unë besoj thellësisht se Shqipëria është një model, që mund të ndiqet si i tillë edhe nga vendet e tjera, për shkak se bashkëjetesa fetare, toleranca është diçka që është në genin e shqiptarëve, e trashëguar në shekuj.
Dua gjithashtu, të shtoj edhe një element të dytë. Gjatë muajit të fundit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, edhe në Kongresin Amerikan kujtohen hebrenjtë e vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëse ka një vend që gjatë luftës së dytë botërore, ku numri i hebrenjve ishte më i lartë, pas përfundimit të luftës se sa para fillimit të kësaj lufte, e ka emrin Shqipëri.
Shqiptarët në familjet e tyre kanë marrë dhe kanë strehuar, duke rrezikuar jetën dhe familjet e tyre, hebrenj që ikën nga vendet e tjera për të gjetur strehë këtu në Shqipëri. Ata nuk i njihnin, ishin nga vende të tjera, nuk kishin të njëjtin besim fetar. Dhe jo vetëm shqiptarët, familjet e tyre, por edhe politika e asaj periudhe shtetërore ishte në mbrojtje të hebrenjve. Dhe kjo është një tjetër vlerë, për të cilën unë si shqiptare, sigurisht ndihem shumë krenare, sepse ka të bëjë me lirinë, jetën, ka të bëjë me të drejtat e njeriut, ka të bëjë me shpirtin, me dinjitetin e qenies njerëzore. Sigurisht, rajoni jonë, është rajoni i minoriteteve të ndryshme dhe modeli i bashkëjetesës është themelor.
Duke i’u falenderuar për të gjithë mbështetjen që Këshilli i Evropës i ka dhënë vendit tim dhe të gjitha vendeve të tjera në rrugën e konsolidimit të demokracisë, unë dua ti uroj këtij Standing Committee sukses në vijimin e punimeve të tij. Unë e di që ju do të shikoni axhendën, që ka të bëjë me sesionin e ardhshëm parlamentar në qershor, do të diskutoni mbi konferencën e Kryetarëve të parlamenteve nga shtatori apo tetori. Sigurisht, si pjesëmarrëse e konferencave që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka organizuar me Kryetarët e Parlamenteve të vendeve anëtare është një mundësi e jashtëzakonshme, një oportunitet i mrekullueshëm për Kryetarët e Parlamenteve nacionale për të qenë së bashku, për të diskutuar së bashku dhe për të vendosur së bashku, duke vendosur raporte politike, raporte njerëzore por mbi të gjitha marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi.
Unë edhe njëherë ju falenderoj zoti Zv/President, falënderoj të gjithë kolegët që janë të pranishëm këtu në Tiranë për të mbajtur këtë mbledhje të Standing Committee.
Faleminderit!