Në nderim të ngjarjes historike, drejtimit të Presidencës së Këshillit të Evropës nga vendi ynë, Kryetarja e Kuvendit organizoi një ceremonial pritjeje në Pallatin e Brigadave për anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KiE, të cilët zhvillojnë sot në Tiranë, takimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thorbjorn Jagland, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Jean Claude Mignon, deputetë të Kuvendit, ambasadorë dhe miq të tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit në përshëndetjen e saj, duke i uruar mirëseardhjen në vendin tonë , anëtarëve të KiE, deputetëve të Asamblesë parlamentare tha se, drejtimi i Presidencës së Këshillit të Evropës nga Shqipëria, është një ngjarje e jashtëzakonshme historike në 100 vjetorin e shtetit shqiptar.
Kryetarja e Kuvendit tha se, askush nuk mund të besonte se vendi më i izoluar në botë, pa asnjë të drejtë njerëzore, do të mund të udhëhiqte institucionin e vlerave të mëdha universale, të të drejtave të njeriut, Presidencën e Këshillit të Evropës. Kryetarja e Kuvendit i shprehu mirënjohje dhe falenderim të veçantë anëtarëve të KiE, për mbështetjen që kanë treguar ndaj demokracisë në Shqipëri.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Jean Claude Mignon, tha se "kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do të mbaja këtë fjalim këtu në Shqipëri ,si President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës".
“Është e jashtëzakonshme se si Shqipëria është transformuar sot në një periudhe kaq të shkurtër”, u shpreh ai . Zoti Mignon inkurajoi klasën politike shqiptare për realizimin me sukses të përgjegjësive të kësaj detyre dhe sikurse u shpreh ai ” ti provoni të gjithë botës se ju keni bërë vërtet shumë, falë demokracisë së vërtetë”.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thorbjorn Jagland, duke uruar shqiptarët për këtë ngjarje historike, shprehu bindjen se presidenca shqiptare do të jetë një presidencë shumë e suksesshme dhe me axhendë shumë të mirë që mbështetet në prioritetet e Këshillit të Europës.
Fjala e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli:
I nderuar Sekretari i Përgjithshëm, z. Thorbjorn Jagland,
I nderuar Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Mignon,
Të nderurar kryetarë të grupeve parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Të nderuar kolegë të dashur miq
Për mua , për Shqipërinë, për vendin tim, është një ditë e veçantë. Jo vetëm, sepse jemi këtu të gjithë bashkë në Tiranë , në Shqipëri, për herë të parë në një ngjarje historike është diçka e jashtëzakonshme që në 100 Vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë , Shqipëria merr Presidencën e Këshillit të Evropës.
Paradite, duke biseduar me Presidentin e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, me të drejtë dhe në mënyrë të sinqertë më tha :”kush e mendonte se, Shqipëria do të merrte kryesinë e radhës të Presidencës të KE. Edhe unë i thashë :”absolutisht asnjeri, përveç ne shqiptarëve. Kush e mendonte se, vendi që ka qenë më i izoluar në botë, vendi ku, nuk kishte liri, vendi ku s’kishte të drejta të njeriut, do të merrte Presidencën për të promovuar së bashku me të gjithë ju këto vlera kaq të jashtëzakonshme dhe universale.
Ne shqiptarët kemi besuar qysh ditën e parë, kur u bëmë të lirë. Për ne, s’ka gjë më të jashtëzakonshme , s’ka gjë më të mrekullueshme se liria. Liria funksionon; ajo bën mrekulli. Vendi im ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe të gjithë ju keni një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën tonë, për tu bërë anëtarë të NATO-s, për tu bërë një vend pa rregjim vizash dhe për tu bërë ata që jemi sot.
Unë nuk mund të rri pa thënë se, unë kam qenë anëtare e Asamblesë parlamentare të KE në vitin 2001, 2005 dhe një pjesë të rëndësishme prej jush, ju kam njohur në atë periudhë. Gjatë asaj periudhe kam parë që mbanin fjalim në Asamblenë parlamentare, kryeministra, presidenta, ministra të jashtëm dhe shumica e tyre tregonin eksperiencën në Asamblenë parlamentare. Unë mund të them se, ne jemi rritur politikisht dhe kemi mësuar shumë në këtë Asamble.
Këshilli i Evropës pa Asamblenë, nuk do të kishte atë dimension që ka sot, sepse kjo Asamble ka forcën e përfaqësimit të 47 vendeve të parlamenteve kombëtare të tyre dhe që përfshijnë rreth 800 milion banorë. Përpara se ta mbyllim, unë dua t’ju them me zemër mirënjohje dhe falenderim të veçantë për të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare, që dy vite përpara erdhën në Shqipëri dhe kanë mbështetur vendin tonë, kanë mbështetur demokracinë në vendin tim. Një falenderim me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të gjithë ju Sekretarin e Përgjithshëm, Presidentin, zotin Mignon, i cili njeh gjithashtu Shqipërinë prej shumë vitesh. Sot unë ndjehem shumë krenare që jam e rrethuar nga miq, me të cilët kemi kaluar disa vite në Asamblenë e Këshillit të Evropës dhe, të cilët na kanë mbështetur.
Ne e dime që është një përgjegjësi e madhe për të pasur Presidencën e Këshillit të Evropës, ne e shohim si një përgjegjësi dhe krenari të madhe. Sigurisht që ne e kuptojmë se kjo duket dhe më e vështirë pas kryesimit nga Britania e Madhe, një vend që si shumë të tjerë, kanë një parlamentarizëm shumë shekullor, ndërkohë që vendi im ka 20 vjet parlamentarizëm edhe pak vite përpara Luftës së Dytë Botërore. Por ne shqiptarët kemi një gjë; ne kemi shumë energji, ne shikojmë pozitivisht, ne shohim me optimizëm dhe ne po rikuperojmë shekuj të humbur. Edhe një herë mirëse keni ardhur në Shqipëri dhe ju uroj shumë suksese ditën e nesërme.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Jean Claude Mignon:
Faleminderit shumë. Unë do të doja të falënderoja edhe një herë Kryetaren e Kuvendit. Kush do ta kishte menduar 22 vite më parë se një ditë Shqipëria do të merrte Presidencën e Këshillit të Europës së Asamblesë Parlamentare.
Por më lejoni të them diçka të sigurt këtu: Të kthehemi pas tek vitet 1990 kur për mua ishte shumë e vështirë të sigurohej një vizë për të ardhur në vendin tuaj unë kurrë se kisha menduar se një ditë do të mbaja këtë fjalim këtu në Shqipëri si President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Nuk e di pse ishte kaq e vështirë për mua të siguroja një vizë atëhere sepse unë ishte plotësisht i përgjegjshëm edhe në atë kohë, unë isha një deputet i ndershëm . Por në fakt unë erdha këtu atëherë të zbuloja një vend, një vend i cili ishte shumë i vështirë për t’u përshtatur thjesht sepse njerëzit nuk të pranonin dhe ishte shumë e vështirë të vije në këtë vend edhe për arsye nga më të ndryshmet.
Por pavarësisht faktit se kjo ishte shumë e vështirë si rrjedhojë e kushteve dhe rrethanave gjatë vizitës sime të parë këtu unë pata një mundësi të madhe dhe me fat të takoja dikë i cili u bë Kryeministër i vendit, Sali Berisha dhe e kam takuar atë gjatë vizitës sime të pare dhe gjithashtu isha shumë i kënaqur që takova edhe personalitete të tjera shumë të spikatura të cilët vazhdojnë të jetë të tillë edhe sot këtu në Shqipëri.
Dhe është e jashtëzakonshme se si Shqipëria është transformuar sot në një periudhe kaq të shkurtër.
Është shumë e vështirë të njohësh Tiranën sot me ndërtimet e bëra kudo. Dhe unë e di gjithashtu se të flasën për bukuritë e vendit tuaj dhe vijën bregdetare të cilën gjithashtu e zbulova gjatë udhëtimit tim të parë këtu unë e di se ka ende vende mahnitëse dhe se ka gjithashtu një tërheqje të madhe për turisët gjithashtu.
Sigurisht që ne kemi parë me padurim edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në vendin tuaj dhe keni të drejtë se është e qartë se sot vendi është anëtar i Këshillit të Europës dhe duke marrë edhe presidencën e Këshillit të Ministrave është e qartë se ju tani keni përgjegjësi dhe detyrime.
Unë e di se ju kërkoni të shkoni edhe më larg, shumë më larg dhe ti provoni botës, të gjithë botës dhe unë them se ju keni bërë vërtet shumë falë demokracisë së vërtetë.
Ne i kemi parë me shumë vëmendje prioritetet tuaja, prioritetet e Shqipërisë për 6 muajt e ardhshëm gjatë të cilëve ju do të keni Presidencën e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës.
Ashtu sikurse ju thashë më parë Asambleja Parlamentare, Asambleja jonë Parlamentare gjithashtu do tu ndihmoje dhe mbështesë ju për të arritur këto rezultate.
Ne gjithashtu e dimë se ju do të shikoni me shumë vëmendje rrugën në të cilën po luani dhe do të vazhdoni të luani në këtë rajon të Europës. Unë jam thellësisht i sigurt se kur të vijë koha për të bërë vlerësimet e atyre ç’ka juve keni arritur ai do të jetë një vlerësim shumë i mirë vërtet.
Unë dua t’ju falënderoj për mikpritjen e ngrohtë dhe dashamirësinë tuaj. Gjithashtu dua t’ju falënderoj për këtë spektakël, për vallëzimin folklorik me muzikë shqiptare të cilin e shijuam shumë, pra faleminderit për ketë.
Së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare u përpoqëm të kërcenim, të hidhmin disa hapa por mendoj se nuk ja dolëm edhe aq mirë. Por unë them se do të angazhohimi për të marrë disa leksione vallëzimi dhe premtoj se duke nisur nga sot pas 6 muajsh shfaqen do ta bëjmë ne. Faleminderit.
Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thorbjorn Jagland:
Zonja Kryetare megjithëse Zoti President foli në emër të të githëve ne, më lejoni të shpreh mendimin tim personal. Kjo është një ditë e madhe edhe për mua gjithashtu që takohemi sërish.
Unë kujtoj kur u takuam këtu në Tiranë për herë të pare. I thashë vetes se ju jeni personi të cilin unë e dua në skuadrën time. Nuk do t’ju doja kundër. Ju jeni një lidër bindës dhe unë e di se sa shumë keni bërë për këtë vend në evolucion.
Prandaj është një kënaqësi të takohemi sërish.
Takimet që unë kam pasur me të gjithë lidershipin shqiptar më bindën se presidenca shqiptare do të jetë një presidencë shumë e suksesshme. Ju e kemi përgatitur shumë mirë veten dhe keni një axhendë shumë të mirë e cila përkon me axhendën time dhe me axhendën e Këshillit të Europës. Pra unë ju uroj ju gjithë të mirat dhe të realizojmë një kërcim të mirë së bashku.