7 maj 2008 - Kuvendi zhvillon seancë të posaçme me të rinjtë “Shqipëria në Europë”
Topalli: Ju keni sot në dorë ëndrrën europiane.
Me dhjetëra studentë, nxënës shkollash dhe fëmijë ishin sot pjesëmarrës në seancën “Shqipëria në Europë”. Seanca e posaçme me të rinjtë, u mbajt nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadrin e ativiteteve të Javës së Europës.

Në hapje të seancës, Kryetarja Topalli falenderoi të rinjtë për pjesëmarrjen duke e cilësuar seancën, si më të veçantën të mbajtur gjatë këtyre viteve, në Kuvendin e Shqipërisë.
“Njëzet vjet më parë brezi im kishte vetëm një ëndërr: si të afroheshim me NATO-n, si të afroheshim me BE-në. Kjo dukej aq e largët, gati e pamundur. Unë sot besoj se ëndrrën europiane ju sot e keni në dorë. Ta gëzoni atë!
Edhe një herë ju falënderoj dhe ju ftoj të bëheni pjesë e një angazhimi të madh shoqëror! Një ndërgjegje e madhe shoqërore dhe politike e të rinjve vetëm e përafron vendin tonë me standardet evropiane dhe bën të mundur që drejtësia sociale, shteti ligjor, të drejtat e njeriut të jenë një realitet i plotë edhe në vendin tonë.”- tha kryetarja Topalli
Seancën e përshëndeti ambasadorja e Francës, Maryse Daviet, vend i cili merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian, duke u bërë atyre thirrje të jenë pjesë aktive e transformimeve të mëdha nëpër cilat po kalon vendi.
“Shqipëria ka bërë shumë progres në sajë të Qeverisë dhe udhëheqësve të saj, siç e tha edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në qershor të vitit 2006. Shqipëria është bërë anëtare e Euromedit në nëntor të vitit 2007. Siç e tha zonja Topalli,

Shqipëria është ftuar në Samitin e Bukureshtit në prill të vitit 2008 që të bëhet anëtare e NATO-s. Gjithashtu, Qeveria, deputetët dhe gjithë opinioni publik duhet të mbështesë të gjitha këto përpjekje që po bëhen për të përfunduar edhe reformat kryesore që e presin Shqipërinë, nga të cilat më kryesorja është reforma zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në Shqipëri.
Gjithashtu, doja të përmendja edhe faktin e miratimit nga Parlamenti shqiptar me konsensusin e dy partive kryesore shqiptare, Partisë Demokratike dhe partisë Socialiste të ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës për sistemin zgjedhor dhe ndryshimet e tjera, që ishte shumë pozitive.,” tha ambasadorja franceze.
Në emër të të rinjve përshëndetën studentë të fakultetit Ekonomik dhe Shkencave Politike, të cilët vlerësuan kontributin Kryetares Topalli dhe Kuvendit, për mbështetjen ndaj të rinjve dhe reformave integruese për zhvillimin e vendit.
“Le të gëzojmë për Shqipërinë në Europë, le të gëzojmë se imazhi i vendit tonë në Europë është sot mjaft pozitiv. Raportet ndërkombëtare si asnjëherë më parë flasin sot pozitivisht për reformat kushtetuese, për reformat e qeverisë,” tha studentja Xheni Gjokrrushi.
Studenti në Fakultetin e Shkencave Politike, Jetmir Hasa tha se “Shqipëria në Europë është rezultat i përpjekjeve të të gjithë aktorëve politikë dhe në mënyrë të veçantë, Kuvendit të Shqipërisë. Ne të rinjtë inkurajojmë politikanët të vazhdojnë me reformat, që të na afrojnë më shumë me Europën”.

Më tej seanca vijoi me pyetjet dhe interesimin e studentëve lidhur me problemet e arsimit dhe jetës studentore.
Karta e Studentit, aktivitetet jashtëshkollore, mbështetja për integrimin euro-atlantik, si dhe çështje të tjera, iu drejtuan për përgjigje Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Zonja Topalli duke iu përgjigjur me dashamirësi të veçantë pyetjeve të studentëve, tha se do të angazhohet me ministrinë përkatëse dhe institucionet e tjera për të arritur standarde më të larta të jetës dhe shkollimit të studentëve.
Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë, Kryetarja e Kuvendit i shpërndau të rinjve Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke i porositur ata për ta studiuar me kujdes dhe përgjegjësi, si nje dokument themeltar i qytetarëve europianë.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit