Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në takim Ministren e Jashtme të Qipros, Erato Kozakou Marcoullis, vendi i të cilës mban edhe presidencën e Bashkimit Europian.
“Unë jam në Shqipëri për t’iu inkurajuar për punën e madhe që keni bërë në realizimin e reformave dhe për t’iu nxitur njëkohësisht për të ecur përpara në plotësimin e paketës së kritereve të Brukselit. Presidenca jonë në BE do të mbështesë çdo hap të Shqipërisë drejt bashkimit në familjen europiane dhe për këtë duhet dhe bashkëpunimi juaj këtu në Shqipëri në realizimin e reformave të tjera që presin të miratohen” u shpreh Ministrja e Jashtme, Marcoulis.
Duke shprehur urimet për marrjen e Presidencës së radhës së BE nga Qipro, Kryetarja e Kuvendit falenderoi Ministren Marcoulis për fjalët inkurajuese dhe mbështetjen e palëkundur të Qipros në aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Kryetarja Jozefina Topalli njohu Ministren e Jashtme, Marcoullis me punën intensive dhe reformat që Parlamenti ka ndërmarrë në funksion të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Europian.
“Ka një atmosferë pozitive bashkëpunimi. Është bërë një punë e madhe në miratimin e ligjeve dhe kodeve që kërkonin 3/5 e votave. Është miratuar Avokati i Popullit. Është miratuar Reforma Zgjedhore, e cila ishte dhe një nga reformat më të rëndësishme në paketën e kritereve të KE. Me rëndësi për ne është miratimi i ndryshimeve kushtetuese për heqjen apo kufizimin e imunitetit. Mazhoranca ka pranuar të gjitha propozimet e opozitës për këtë çështje dhe ne presim që opozita të respektojë afatet ligjore për ta miratuar atë më 6 gusht, jo vetëm si një kriter i Bashkimit Europian por edhe si një instrument i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Ministrja Marcoullis vuri theksin tek rëndësia që ka vullneti dhe bashkëpunimi midis forcave politike, të cilat sipas saj duhet t’i shohin reformat e integrimit si çështje kombëtare dhe jo si çështje partiake duke bërë çdo gjë për t’i dhënë popullit shqiptar statusin e vendit kandidat, si një dhuratë të merituar.
Ne duhet të shohim me optimizëm përpara, tha Ministrja e Jashtme e Qipros, nëse forcat politike duan që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat, për këtë është shumë i domosdoshëm vullneti dhe bashkëpunimi mes të gjitha forcave politike
“Koha është tani! Nëse ka vullnet mund të arrihet gjithçka. Ju keni bërë hapa të rëndësishëm në plotësimin e detyrimeve për integrimin europian por reforma të tjera duhet të ndërmerren. Në ditët e ardhshme ju duhet t’i tregoni vendeve anëtare të Bashkimit Europian se ju po punoni dhe se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Keni kaluar reforma të rëndësishme, Kodi Elektoral ka qenë thelbësor, po aq sa ç’është edhe heqja apo kufizimi i imunitetit. Këto janë çështje, për të cilat, momenti është tani që t’i realizoni. Këto janë çështje, të cilat duhet të jenë objektiv kombëtar dhe jo thjeshtë çështje partiake.” u shpreh Ministrja e Jashtme e Qipros.
Gjatë takimit, Kryetarja e Kuvendit dhe Ministrja Marcoullis vlerësuan edhe marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis dy vendeve duke shprehur angazhimin për të forcuar bashkëpunimin jo vetëm në nivel parlamentar por në të gjitha fushat.