Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri sot homazhe në nderim të 11 studenteve, në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, të cilat humbën jetën në aksidentin tragjik në Himarë.
Duke u përkulur me nderim para fotografive të vajzave të reja, të vendosura në hollin e Universitetit, Kryetarja e Kuvendit vendosi nga një kurorë me lule për secilën prej studenteve, jeta e të cilave u shua në mënyrë të tragjike.
Kryetarja e Kuvendit, pasi la një shënim në librin e ngushëllimeve të hapur me këtë rast, ndezi jashtë Universitetit, qirinj në kujtim të 11 vajzave të reja, aty ku dhe qindra studentë, pedagogë e qytetarë në homazh të studenteve, mes lotëve dhe dhimbjes kishin ndezur qirinj dhe vendosur buqeta me lule e dedikime lamtumire për humbjen tragjike e të parakohshme të të rejave.
Më pas, në një prononcim për mediat, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh:
Sot, të gjithë bashkë, familjarët, nëna, babai, vëllai, motra, shoqet e shkollës, universitarët, pedagogët, të gjithë shqiptarët i japin lamtumirën Denisës, Ermirës, Aurorës, Fabiolës, Linditës, Joanës, Dorinës, Erionës, Elsës, Julianës dhe Erandës. Këto vajza ishin ëngjëj. Që sot ato do të shikojnë nga lart, por në familjet e tyre kanë lënë një dhimbje jashtëzakonisht të madhe.
Fotografitë e tyre, sytë e tyre kishin shpresë, flisnin për jetën, por ëndërra e tyre mbaroi dje, në një ditë të tmerrshme.
Ndaj dhe sot në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua t’u shpreh dhimbjen e madhe dhe ngushëllimet, nënave, prindërve, të afërmve të studenteve që humbën jetën tragjikisht. Unë po kthehem nga Juliana. Ashtu si tek Juliana edhe për të gjithë familjarët e vajzave të tjera, kjo është një ditë e dhimbshme. Dje ka qenë një ditë e tmerrshme.
Unë dua të shpreh ngushëllimin e thellë dhe nderimin e madh për këta ëngjëj që kanë lënë familjet e tyre dhe kanë shokuar të gjithë shoqërinë, shqiptarët dhe jo vetëm.
Lutemi që shpirti i tyre të prehet në paqe!