Në vijim të punimeve të Konferencës Europiane të Presidentëve të Parlamenteve, e cila po mbahet në Këshillin e Europës në Strasburg, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e shfrytëzoi pjesëmarrjen e saj në këtë takim të nivelit të lartë për të lobuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryetarja e Kuvendit u takua dhe bisedoi me Kryetarin e Parlamentit italian, Gianfranko Fini, Presidentin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammer, Kryetaren e Parlamentit bullgar, Tsetska Tsacheva, Kryetaren e Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe, Fransis D’Souza, Kryetarin e Parlamentit të Kanadasë, Noel Kinsela etj.
Në qendër të takimeve që Kryetarja Jozefina Topalli zhvilloi në KiE ishte kërkesa për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit europian duke theksuar se 96 përqind e shqiptarëve janë pro këtij integrimi. Kryetarja e Kuvendit njohu homologët e saj me zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri. Ajo theksoi se pavarësisht krizës globale Shqipëria nuk ra në recesion. Në këto takime, Kryeparlamentarët i shprehën Kryetares Jozefina Topalli vlerësimin për Shqipërinë, si model tolerance, një vlerë kjo e jashtëzakonshme në 20 vite zhvillime demokratike.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim të veçantë me Kryetarin e Parlamentit të Finlandës, Eero Heinaluoma. Dy homologët i cilësuan si të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve. Në këtë kontekst, Kryetarja Jozefina Topalli tha se inkurajonte vijimin e bashkëpunimit në nivele të ndryshme.
Ajo e njohu homologun finlandez me procesin që po ndjek Shqipëria për integrimin europian dhe përpjekjet e mëdha të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat këtë vjeshtë. Kryetari i Parlamentit të Finlandës theksoi se vendi I tij do të ndihmojë
Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit. “Shpresoj që në të ardhmen të shoh vendin tuaj në BE. Do të ishte në të mirën e të gjithëve.” tha ai. Topalli e ftoi Kryetarin e Parlamentit të Finlandës të vizitojë Shqipërinë.
Këshilli i Europës është një forum që mbledh bashkë përfaqësues të 47 vendeve anëtare dhe jo anëtare të Bashkimit Europian, dhe është një mundësi e mirë për të evidentuar progresin e arritur nga vendet aspirante për anëtarësimin europian.